Zyrtarisht, Vjosa shpallet Park Kombëtar

14 Marsi, Dita e Verës dhe njëkohësisht Dita Botërore e Veprimit për Lumenjtë, e gjen Vjosën – lumi i fundit i egër në Europë – Park Kombëtar.

“Qeveria shqiptare e deklaroi zyrtarisht “Park Kombëtar” lumin e Vjosës në të gjithë gjatësinë e tij dhe me të tri degët më të rëndësishme që e ushqejnë lumin e fundit të egër në Europë: Drino, Bënçë, Shushicë,” njoftoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Dy vjet punë intensive, nga i gjithë ekipi i Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit, nga specialistët e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, nga ekspertë vendas e të huaj, të organizatës Patagonia dhe IUCN, me të cilët, hap pas hapi, fshat më fshat, përshkuam të gjithë shtrirjen e mbretëreshës së lumenjve, për ta ruajtur të egër, për ta mbrojtur nga ndërhyrjet që i ndryshojnë natyrën, por edhe për ta përgatitur për zhvillimin e qendrueshëm të ekonomive të zonës, nga Leskoviku e Çarshova e Përmetit deri në Këlcyrë e Tepelënë, Memaliaj e Fier, Vlorë e Gjirokastër, Dropull e Libohovë. Shumë mirënjohje për secilin prej jush.” – shtoi ajo.

Në vijim, pritet të nisë puna për të përgatitur planin e menaxhimit dhe projektet zhvillimore në shërbim të komunitetit.

Statusi Park Kombëtar është një standard ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës dhe i vetmi status që mund t’i ndalojë bizneset dhe qeveritë e ardhshme të dëmtojnë lumin dhe degët e tij, të cilat fatmirësisht ende rrjedhin të lira.

Çështja e Vjosës ra në veshin e organizatave që mbrojnë mjedisin dhe ambientalistëve, përfshirë edhe figura të njohura si Leonardo DiCaprio, që prej kohësh mbështetën pasurinë natyrore të Vjosës.