WhatsApp po ndryshon sërish! Pas fotove, tani edhe mesazhet do të kenë këtë funksion

WhatsApp po përgatit një tjetër risi që synon ta bëjë komunikimin më praktik dhe të organizuar. Pas përmirësimeve të shumta në dërgimin e fotove dhe videove, platforma e njohur e mesazheve pritet të sjellë një funksion të ri edhe për mesazhet.

Bëhet fjalë për mundësinë e krijimit të përmbledhjeve automatike të mesazheve, falë inteligjencës artificiale. Ky funksion do t’u vijë në ndihmë përdoruesve që kanë munguar për disa orë ose ditë në një bisedë, duke u ofruar një përmbledhje të shkurtër të asaj që është diskutuar, pa pasur nevojë të lexojnë dhjetëra apo qindra mesazhe.

Sipas raportimeve, përmbledhjet do të krijohen nga Meta AI, ndërsa kompania thekson se privatësia mbetet e garantuar. Mesazhet nuk do të lexohen nga askush dhe sistemi do të funksionojë duke ruajtur enkriptimin “end-to-end”, që është një nga veçoritë kryesore të sigurisë së WhatsApp.

Funksioni pritet të jetë veçanërisht i dobishëm në bisedat në grup, ku numri i mesazheve mund të rritet shumë shpejt. Për momentin, ai është në fazë testimi dhe nuk dihet ende data zyrtare kur do të jetë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit.