WhatsApp ndryshon rregullat e lojës: Numri i telefonit nuk do të jetë më i domosdoshëm

WhatsApp po prezanton një nga përditësimet më të kërkuara ndonjëherë, duke u dhënë përdoruesve mundësinë të komunikojnë përmes një username, pa qenë e nevojshme të ndajnë numrin e telefonit.

Funksioni i ri synon të rrisë privatësinë, duke lejuar që njerëzit t’ju gjejnë dhe t’ju dërgojnë mesazhe vetëm përmes emrit tuaj të përdoruesit. Sipas kompanisë, nuk do të ekzistojë një listë publike e username-ve dhe askush nuk do të mund t’ju gjejë rastësisht – personi duhet të dijë saktësisht emrin tuaj të përdoruesit për të nisur një bisedë.

WhatsApp ka nisur tashmë rezervimin e username-ve, ndërsa funksioni do të shpërndahet gradualisht për përdoruesit gjatë muajve në vijim. Emrat e përdoruesve duhet të kenë nga 3 deri në 35 karaktere, ndërsa emrat e figurave publike dhe institucioneve do të rezervohen për të shmangur imitimet.

Përdoruesit dhe bizneset do të kenë gjithashtu mundësinë të përdorin të njëjtin username që kanë në Instagram ose Facebook, nëse ai është i lirë.

Ky ndryshim konsiderohet një hap i rëndësishëm për privatësinë në platformë, pasi deri më tani kushdo që kishte numrin tuaj të telefonit mund t’ju kontaktonte në WhatsApp.