Këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora ka zbuluar arsyen pse vendosi të kryejë krioprezervimin e vezëve para se të mbushte 30 vjeç, duke theksuar se vendimi erdhi pas këshillës së mjekut dhe për shkak të historisë shëndetësore të nënës së saj.
Në një intervistë për revistën “Women’s Health UK”, artistja 35-vjeçare tregoi se iu nënshtrua dy cikleve të ngrirjes së vezëve në moshën 24 dhe 27 vjeç. Sipas saj, mjeku i kishte sugjeruar se ajo ishte një periudhë shumë e mirë për të ruajtur cilësinë më të mirë të mundshme të vezëve për të ardhmen.
“Një mjek më tha se ishte një kohë shumë e mirë për të ruajtur cilësinë më të mirë të vezëve. Ishte vërtet këshilla më e mirë, sepse tani që jam në mesin e të 30-ave kam shumë miq që po përpiqen të gjejnë një zgjidhje”, u shpreh këngëtarja.
Rita Ora theksoi se vendimi i saj u ndikua edhe nga përvoja e nënës së saj me shëndetin. Nëna e artistes u diagnostikua me kancer të gjirit në vitin 2005, në moshën 39-vjeçare, ndërsa trajtimi që mori i shkaktoi menopauzë të hershme./ panorama
