Trupi flet kur jeni të stresuar: ja sinjalet që duhet të vini re

Stresi është bërë pjesë e përditshmërisë për shumë njerëz, por kur zgjat për një kohë të gjatë mund të kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin. Ekspertët paralajmërojnë se ai nuk ndikon vetëm te gjendja emocionale, por lë gjurmë edhe në trup.

Një nga shenjat më të zakonshme është lodhja e vazhdueshme dhe mungesa e energjisë, edhe kur mendoni se keni pushuar mjaftueshëm. Po ashtu, pagjumësia dhe vështirësia për të bërë një gjumë cilësor janë sinjale të forta që trupi po përballet me stres të lartë.

Ndikimi i tij mund të shihet edhe në lëkurë, duke shkaktuar shpesh akne, yndyrë të tepërt apo probleme të tjera dermatologjike. Përveç kësaj, stresi mund të dobësojë sistemin imunitar, duke ju bërë më të ndjeshëm ndaj virozave dhe sëmundjeve të ndryshme.

Nëse nuk menaxhohet, stresi kronik mund të rrisë rrezikun për ankth, depresion dhe probleme më serioze shëndetësore. Specialistët rekomandojnë aktivitet fizik, më shumë pushim dhe teknika relaksimi për ta mbajtur nën kontroll.