Tri ditë festë dhe shumë mister: A po planifikojnë martesën Dua Lipa dhe Callum Turner?

Martesa e këngëtares me famë botërore Dua Lipa dhe aktorit britanik Callum Turner pritet të jetë një nga eventet më të mëdha të showbiz-it këtë vit. Sipas medias italiane la Repubblica, çifti ka zgjedhur qytetin e Palermos si destinacion për të kurorëzuar lidhjen e tyre, në një ceremoni që pritet të zgjasë disa ditë rresht.

Raportimi i la Repubblica bën me dije se data e dasmës mendohet të jetë në fillim të shtatorit, konkretisht mes datave 5 dhe 7, ndërsa festimet do të shtrihen përgjatë tre ditëve. Sipas të njëjtit burim, një nga hotelet më luksoze të qytetit do të vihet në dispozicion të çiftit dhe të ftuarve, me disa suita të rezervuara posaçërisht për këtë event.

Po ashtu, mediat italiane raportojnë se një nga vendet ku mund të zhvillohet ceremonia është një kishë historike në Palermo, e njohur për vlerat artistike dhe arkitekturën e saj unike, edhe pse për këtë detaj nuk ka ende konfirmim zyrtar. Diskrecioni mbetet i lartë, sidomos sa i përket listës së të ftuarve dhe lokacioneve të sakta ku do të zhvillohen festimet.

Organizimi i gjithë ceremonisë, sipas la Repubblica, i është besuar një wedding planner-i të njohur në Itali, i cili ka në portofol edhe evente të mëdha të personazheve VIP. Kjo ka shtuar edhe më shumë pritshmëritë që dasma e Dua Lipës dhe Callum Turner të jetë një spektakël i vërtetë.

Megjithatë, deri në këto momente, as Dua Lipa dhe as Callum Turner nuk kanë bërë një reagim publik apo konfirmim zyrtar për planet e martesës.