32 persona raportohet se kanë humbur jetën dhe 80 janë plagosur në një aksident treni jashtë qytetit të Larisës në Greqi të martën mbrëma.
Sipas raportimeve, aksidenti u shkaktua kur një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash jashtë Larisës dhe më pas doli nga shinat.
Aksidenti ka ndodhur pak pas orës 23:00, në Evangelismos, pranë Tempit. Treni kryente linjën Selanik-Larisa dhe që nisur në orën 19:22.
Policia dhe zjarrfikësja kanë shkuar në vendngjarje për të ndihmuar në çlirimin e pasagjerëve. Më konkretisht po punojnë 40 zjarrfikës me 17 mjete.
Raportet e para tregojnë se dhjetëra pasagjerë janë bllokuar dhe plagosur, ndërsa autoritetet druajnë se numri i viktimave mund të rritet.
Forca të forta policore, EMAK-ja e 8-të, Zjarrfikësja e Larisës dhe gjithsej 30 autoambulanca dhe mjekë të EKAV nga Larisa, Volosi dhe Selaniku kanë shkuar në vendngjarje. Me urdhër të Qendrës Kombëtare të Operacioneve Shëndetësore, u hapën urgjencat e Spitalit të Përgjithshëm të Larisës për të pritur të plagosurit.
Në vendngjarje mbërritën edhe autobusët për të marrë pasagjerët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë Thanos Pleuris u nis drejt spitaleve dhe Sekretari i Përgjithshëm i Transporteve, Giannis Xifaras në vendin e aksidentit.
Ministri i Mbrojtjes Civile Christos Stylanidis është në qendër të operacioneve të mbrojtjes civile. Autoritetet në fjalë po mbajnë të informuar kryeministrin grek për zhvillimet në vazhdim.
Sipas një pasagjeri, personat që ishin në tren kanë kërcyer nga dritaret e thyera të vagonëve.
“Fillimisht mbizotëroi një situatë paniku – të gjithë bërtisnin e më pas filloi braktisja masive e trenit. Kërcenin nga mbi dy metra lartësi përmes xhamave të thyer të vagonëve. Nuk kishim zgjedhje, donim të largoheshim nga treni i vdekjes”, shtoi pasagjeri.
Gjatë një interviste dhënë për mediat greke, shefi i sindikatës së hekurudhave Yannis Ditsas tha se pavarësisht 40 viteve përvojë, nuk mund të thotë se kush është fajtor për këtë.
Ai shtoi se e ‘mira’ në të gjithë këtë të keqe, është se aksidenti nuk ka ndodhur brenda tunelit që gjendej afër vendi ku ndodhi përplasja.