Tirana 104 vjet kryeqytet! Akset ku do kufizohet qarkullimi i mjeteve

Me rastin e 104-vjetorit të Tiranës kryeqytet, bashkia ka organizuar disa aktivitete që do të zgjasin përgjatë gjithë ditës së sotme në rrugën “Myslym Shyri”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ftuar qytetarët të bëhen pjesë e festës që do të zgjasë nga ora 10⁰⁰ deri në 22⁰⁰.

Ai ka zbuluar se në aktivitet e organizuara ku do të ketë muzikë me Dj më të njohur të momentit, kërcim, sport, kulinari dhe shumë argëtim për fëmijët.

“Tirana Gëzon! Këtë fundjavë kemi festën më të bukur në rrugën më popullore të qytetit, te “Myslym Shyri”, me rastin e 104-vjetorit të Tiranës kryeqytet. Muzikë nën tingujt e DJ më në zë të momentit, kërcim, zona e sportit, zona e gatimit, zona e argëtimit për fëmijë dhe shumë surpriza të tjera. Bashkohu dhe ti nga ora 10⁰⁰ deri në 22⁰⁰”, shprehet Veliaj.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash duke kufizuar pjesërisht lëvizjen e automjeteve në segmentin e rrugës “Myslym Shyri”.

Plani i lëvizjes së automjeteve:

1. Kufizimin e qarkullimit të automjeteve, në kuadër të organizimit të aktiviteteve me rastin e 104 vjetorit të Tiranës, në segmentin e rrugës “Myslym Shyri”, nga kryqëzimi i rrugës “Sami Frashëri” me rrugën “Myslym Shyri”, deri në kryqëzimin e rrugës “Reshit Çollaku” me rrugën “Myslym Shyri”, nga data 09.02.2024 ora 21:00, deri në datën 11.02 2024 ora 03:00. 2. Qarkullimi i automjeteve, do të devijojë në rrugët “Vangjush Furxhi”, “Islam Alla”, “Hajdar Hidi”, “Shyqyri Bërxolli”.

3. Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të vazhdojë normalisht në të gjitha segmentet rrugore të mësipërme.