Të shtiresh i lumtur në punë? Studiuesit zbulojnë një pasojë të papritur

Të buzëqeshësh dhe të ruash një sjellje pozitive në vendin e punës, edhe kur ndihesh i lodhur apo i stresuar, mund të ketë pasoja më të mëdha nga sa mendohej. Një studim i publikuar në Journal of Occupational Health Psychology zbulon se punonjësit që shtypin vazhdimisht emocionet e tyre dhe përpiqen të duken të lumtur gjatë orarit të punës kanë më shumë gjasa të konsumojnë alkool në sasi të larta pasi largohen nga puna.

Kërkimi, i udhëhequr nga psikologia Alicia Grandey, analizoi të dhënat e 1,592 punonjësve në Shtetet e Bashkuara. Studiuesit u fokusuan te fenomeni i njohur si “surface acting”, i cili përshkruan situatat kur individët fshehin emocionet e tyre të vërteta dhe shfaqin emocione të tjera për shkak të kërkesave profesionale.

Sipas rezultateve, përpjekja e vazhdueshme për të kontrolluar emocionet konsumon energji mendore dhe ul aftësinë për vetëkontroll. Si pasojë, pas përfundimit të ditës së punës, disa persona e kanë më të vështirë të menaxhojnë sjellje të tjera, përfshirë edhe konsumimin e alkoolit.

Megjithatë, efekti nuk ishte i njëjtë për të gjithë. Ai rezultoi më i dobët te punonjësit që kishin më shumë autonomi në punë, më pak prirje impulsive ose që e konsideronin profesionin e tyre kuptimplotë dhe të vlefshëm për shoqërinë.

Gjetjet kanë hapur diskutime mbi kulturën e punës në kompani të ndryshme, ku punonjësve u kërkohet të ruajnë vazhdimisht një imazh pozitiv. Ekspertët theksojnë se mirëqenia emocionale e stafit duhet të marrë më shumë vëmendje, pasi presioni për të fshehur emocionet reale mund të ndikojë në shëndetin mendor dhe jetën personale të individëve.