Të jetosh vetëm mund të ketë pasoja: Studimi që lidh beqarinë me kancerin

Një studim i fundit nga SHBA ka hedhur dritë mbi një lidhje të pazakontë mes statusit martesor dhe rrezikut për kancer, duke sugjeruar se personat e pamartuar mund të jenë më të ekspozuar ndaj kësaj sëmundjeje.

Kërkimi, i realizuar nga studiues të Universitetit të Miamit dhe i publikuar në një revistë shkencore ndërkombëtare, analizoi të dhëna nga mbi 100 milionë persona dhe miliona raste kanceri të diagnostikuara gjatë viteve të fundit. Rezultatet tregojnë se ata që nuk janë martuar kurrë kanë një probabilitet dukshëm më të lartë për t’u prekur nga kanceri krahasuar me individët që janë ose kanë qenë të martuar.

Diferencat janë të theksuara: tek burrat beqarë rreziku rezulton rreth 68% më i lartë, ndërsa tek gratë arrin deri në rreth 85%.
Sipas studiuesve, kjo lidhje bëhet edhe më e fortë me kalimin e viteve, sidomos pas moshës 55-vjeçare.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se martesa nuk është një “mburojë” direkte ndaj kancerit. Ajo lidhet më shumë me faktorë të tjerë që ndikojnë në stilin e jetesës: mbështetje emocionale, kujdes më i madh për shëndetin, kontroll më i rregullt mjekësor dhe më pak sjellje të rrezikshme si duhanpirja apo konsumimi i tepërt i alkoolit.

Nga ana tjetër, studiuesit paralajmërojnë se rezultatet nuk duhet të interpretohen si një thirrje për t’u martuar, por si një sinjal për të treguar më shumë kujdes ndaj shëndetit, veçanërisht për personat që jetojnë vetëm.