Tapë në timon, live në TikTok/ Kozakut i sekuestrojnë makinën super luksoze

25 persona janë arrestuar dhe proceduar gjatë javës së fundit nga Policia Rrugore e Tiranës pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor mes tyre për drejtim në gjendje të dehur të mjetit, 8 pa patente dhe 1 nën efektin e lëndëve narkotike.

Po ashtu gjatë kësaj jave janë vendosur 7,889 gjoba: Përfshirë 261 për tejkalim shpejtësie, 189 për përdorim celulari, 472 për mosvendosje rripi sigurimi dhe 5,724 për parkim të gabuar.
22 leje drejtimi janë pezulluar, 12 automjete janë bllokuar, përfshirë 3 me targa të huaja.

Një prej mjeteve të sekuestruara është i personazhit të njohur të rrjeteve sociale, Kozaku.
Sipas informacioneve, policia rrugore e Tiranës ia sekuestroi mjetin pasi konstatoi se në orën 3 të natës ai kishte hyrë live në rrjetin social TikTok, dyshohet në gjendje të dehur ku shfaqej duke drejtuar mjetin me shpejtësi tej normave të lejuara në zonat e banuara, si dhe duke shkelur semaforët.