Studimi i ri, grave iu zbehet ndjenja e dashurisë gjatë martesës më shpejt se sa burrave…

Një studim i ri, i publikuar në “Journal of the Association for Psychological Science”, tregoi se gratë kanë një zbehje më të madhe të ndjenjave të dashurisë me kalimin e viteve, krahasuar me burrat. Një nga arsyet për këtë, sipas hulumtimeve, është se gratë janë më të dashuruara se burrat në fillim të lidhjes, gjë që u jep atyre më shumë hapësirë për të humbur dashurinë.

Për të kryer studimin, dr. Saurab Bargava, profesor i ekonomisë në Universitetin Carnegie Mellon në Pittsburgh, hulumtoi emocionet e gati 3,900 të rriturve heteroseksualë me afate të ndryshme kohore të marrëdhënieve, nga të fejuarit së fundmi deri tek ata që kanë qenë të martuar për dekada. Pjesëmarrësve iu kërkua të regjistronin çdo 30 minuta për dhjetë ditë me kë ishin dhe si ndiheshin dhe më pas plotësuan një pyetësor më të gjatë për llojin dhe qëllimin e dashurisë së tyre.

Studimi tregoi se gratë që ishin në fillim të lidhjes raportuan një ndjenjë dashurie shumë më tepër sesa partnerët e tyre. Gratë në lidhje më të gjata përjetuan një ndjenjë dashurie për partnerin e tyre 60% më pak se gratë që sapo kishin filluar një lidhje. Nga ana tjetër, ndjenjat e dashurisë tek burrat u ulën me kalimin e kohës me vetëm 0.4%.

Ndërsa marrëdhënia stabilizohet, studimi zbuloi se gratë shpenzojnë më shumë kohë duke bërë punët e shtëpisë dhe gatimin, ndërsa burrat shpenzojnë më shumë kohë për t’u çlodhur dhe për të pushuar. Bargava gjithashtu vuri në dukje se prindërimi mund ta shuajë zjarrin mes partnerëve, sepse ndjenjat e dashurisë mund të ridrejtohen tek fëmijët dhe gratë marrin shumicën e përgjegjësive rreth tyre.

Çiftet raportuan një rritje të madhe të dashurisë për njëri-tjetrin kur u takuan përsëri pasi u ndanë për të paktën tetë orë, pavarësisht se sa kohë kishin qenë së bashku. Gjithçka duket se është e barabartë në një pikë të caktuar midis pjesëmarrësve të studimit – pas rreth shtatë vjet martese, gratë dhe burrat kishin pothuajse të njëjtat gjasa të raportonin se ishin të dashuruar ndërsa shijonin shoqërinë e njëri-tjetrit. Bargava shpjegoi:

Unë besoj se ka një interpretim optimist të të dhënave, megjithëse dashuria pasionante është në rënie, ajo ende vazhdon.