Skandali! Politikania shqiptare qëllon me armë drejt ikonës së Jezusit

Sanija Ameti, një këshilltare nga Partia e Gjelbër Liberale e Zvicrës dhe me origjinë nga Kosova, e gjeti veten në qendër të një skandali pasi postoi në rrjetet sociale një video të saj duke qëlluar në një imazh të Virgjëreshës Mari që mban Jezu Krishtin.

Pas këtij postimi tronditës, Ameti është përballur me një valë kritikash.

Ajo kishte postuar një foto që e tregonte duke gjuajtur një imazh, për të cilin mediat vendase thonë se është një riprodhim i një artisti mesjetar italian, marrë nga një katalog i ilustruar.

Pas një sërë reagimesh negative, Sanija Ameti ka hequr postimin dhe ka kërkuar falje.

Ajo shpjegoi se kishte përdorur imazhin nga katalogu sepse kishte qenë “madhësia e duhur dhe mjaft e dukshme” për të shërbyer si objektiv.

“Nuk i kam kushtuar rëndësi përmbajtjes së imazhit”, pohoi Sanija Ameti, duke pranuar se ishte e gabuar dhe duke i quajtur veprimet e saj “absolutisht marrëzi”.

Disa politikanë konservatorë dënuan veprimet e Ametit dhe bënë thirrje për dorëheqjen e saj. Disa e akuzuan atë për nxitje të urrejtjes kundër të krishterëve dhe e kërcënuan se do të ndërmarrin veprime ligjore.

Siç raporton RT, familja e Sanija Ametit erdhi në Zvicër si refugjatë nga Kosova në vitet 1990.