Komedianja Miranda Hart është emri i fundit në një listë të gjatë personazhesh të famshëm që kanë zbuluar se janë prekur nga sëmundja Lyme, e cila përhapet nga pickimet e rriqrave.
51-vjeçarja i bashkohet figurave të njohura si ylli i “Real Housewives of Beverly Hills” Yolanda Hadid dhe vajza e saj, modelja Bella Hadid, këngëtari Justin Bieber, aktori Ben Stiller dhe komedianja Amy Schumer, të cilët gjithashtu kanë vuajtur nga kjo sëmundje.
Ajo zbuloi në librin e saj të ri me kujtime, “Nuk kam qenë plotësisht e sinqertë me ty”, se i janë dashur mjekëve tre dekada për t’i dhënë diagnozën pas përjetimit të simptomave shqetësuese neurologjike.
Ndërkohë, modelja 26-vjeçare, Bella Hadid, e cila u diagnostikua me këtë sëmundje në vitin 2013, ka folur gjatë viteve për trajtimet e saj kundër sëmundjes Lyme. Më 6 gusht të vitit të kaluar Bella Hadid publikoi një mesazh të gjatë në Instagram ku fliste për “mos dorëzimin” ndërsa vazhdon përpjekjet për të përmirësuar shëndetin e saj.
“Unë e vogla që vuaja do të isha kaq krenare për vetveten e rritur që nuk jam dorëzuar,” shkroi ajo.
Modelja, vëllai i saj më i vogël Anwar Hadid dhe nëna e saj Yolanda Hadid janë të gjithë të diagnostikuar me këtë sëmundje shkatërruese.
Sëmundja Lyme është një infeksion bakterial që përhapet nga rriqrat dhe shkakton simptoma të ngjashme me gripin, përfshirë lodhje, dhimbje koke, nyje të fryra dhe ethe, të cilat mund të zgjasin disa javë. Megjithatë, për arsye ende të paqarta, disa pacientë vuajnë për vite me radhë.
Por përse duket se kaq shumë të famshëm po diagnostikohen me të?
Profesori Paul Hunter, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e East Anglia-s, i tha MailOnline se disa faktorë mund t’i bëjnë të famshmit më të prirur ndaj sëmundjes Lyme.
“Nëse ka një prirje mes të pasurve dhe të famshmëve, kjo ndoshta ndodh sepse ata kanë më tepër kohë të lirë, kalojnë më shumë kohë në parqe pyjore, kanë më shumë para për të shkuar në këto zona, ose kanë shtëpi të mëdha në këto vende,” shtoi profesor Hunter.
Një tjetër faktor është fakti që shumë të famshëm jetojnë në SHBA, ku sëmundja Lyme është më e përhapur.