Reperi shqiptar me famë ndërkombëtare, Gashi, ka shqetësuar fansat pasi publikoi një foto nga shtrati i spitalit, duke lënë të kuptohet se po përballet me një periudhë të vështirë shëndetësore. Artisti njoftoi se është detyruar të anulojë disa aktivitete, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi gjendjen e tij.
Në një mesazh prekës, Gashi u shpreh se është “falënderues që është gjallë” dhe se po e përballon situatën hap pas hapi, duke reflektuar më shumë mbi jetën dhe vlerën e saj.
Vëmendje të madhe mori edhe mesazhi i tij për Shqipërinë. Në fund të postimit, reperi shkroi: “Shqipëria nuk është në shitje”, duke e shoqëruar deklaratën me flamurin kuqezi. Ky qëndrim është interpretuar si mbështetje për kauzat sociale dhe mjedisore që kanë ngjallur debat në vend, veçanërisht për mbrojtjen e zonave natyrore dhe zhvillimet në bregdet.

Pavarësisht sfidës shëndetësore, artisti ka marrë qindra mesazhe mbështetjeje nga ndjekësit, të cilët i kanë uruar shërim sa më të shpejtë.
