Më shumë se 840 mijë persona humbin jetën çdo vit për shkak të problemeve shëndetësore që lidhen me rreziqet psikosociale në vendin e punës, sipas një raporti të ri të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), agjenci e OKB-së.
Raporti thekson se orët e gjata të punës, pasiguria në vendin e punës, presioni i vazhdueshëm, ngacmimet dhe bullizmi në ambientet profesionale po krijojnë kushte që dëmtojnë seriozisht shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve. Këta faktorë lidhen kryesisht me sëmundjet kardiovaskulare, çrregullimet e shëndetit mendor dhe në disa raste edhe me vetëvrasjen.
Sipas studimit, rreziqet psikosociale në punë shkaktojnë humbjen e rreth 45 milionë viteve jetë të shëndetshme çdo vit dhe sjellin kosto ekonomike që përllogariten në rreth 1.37% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global.
Ekspertët paralajmërojnë se transformimet e fundit në tregun e punës, përfshirë inteligjencën artificiale, punën në distancë dhe format e reja të punësimit, mund të rrisin më tej këto rreziqe nëse nuk menaxhohen siç duhet. Raporti nënvizon nevojën që kompanitë dhe institucionet të investojnë më shumë në mirëqenien psikologjike të punonjësve dhe në krijimin e mjediseve më të shëndetshme të punës.
