Fillimi i 2024 ka qenë mjaft i vështirë për Mbretin Charles të Anglisë, i cili po përballet gjithnjë e më shumë me kërkesat për të hequr dorë nga pozicioni i tij.
Sipas “Newsweek”, thirrjet që Charles, i cili në fakt është “i ri” në fron, të ndjekë shembullin e Margrethe janë shtuar, teksa njerëzit duket se duan që ai t’ia kalojë kurorën Princit William. Mediat britanike po ashtu po e shtyjnë këtë teori, sidomos prestigjozja “The Guardian”, që botoi edhe një shkrim: “Mbreti Charles duhet të ndjekë shembullin e Danimarkës – dhe të na tregojë se kur do të abdikojë”.
Kërkesat për largimin e Charles, janë shtuar sidomos pas raportimeve se ka njëfarë tensioni mes tij dhe të birit, trashëgimtar William, me këtë të fundit që dëshiron më shumë kontroll në familjen mbretërore, një lëvizje vërtetë “prej mbreti”. Kujtojmë se Charles u bë mbret pas vdekjes së nënës së tij, mbretëreshës Elizabeth II, më 8 shtator 2022. Në moshën 73-vjeçare, ai u bë personi më i vjetër që u ul në fronin britanik. Kurorëzimi i tij u mbajt më 6 maj 2023 dhe gjasat që të abdikojë së shpejti, pavarësisht presionit, janë të pakta.