Të zgjohesh i lodhur edhe pasi ke fjetur disa orë është një problem që shumë njerëz e përjetojnë. Edhe pse duket sikur trupi ka pushuar, në realitet disa zakone apo faktorë të fshehtë mund të ndikojnë që gjumi të mos jetë cilësor.
Një nga arsyet kryesore lidhet me gjendjen e përgjithshme të organizmit. Lodhja nuk vjen gjithmonë nga mungesa e gjumit, por edhe nga probleme si anemia, çrregullimet hormonale apo sëmundje të tjera që ndikojnë energjinë gjatë ditës.
Nga ana tjetër, mungesa e aktivitetit fizik është një tjetër faktor i rëndësishëm. Një stil jetese i ulur e mëson trupin të funksionojë me pak energji, duke bërë që edhe pas gjumit të ndiheni të plogësht.
Edhe hidratimi luan rol kyç. Kur trupi nuk merr mjaftueshëm lëngje, funksionet bazë ngadalësohen dhe kjo reflektohet në ndjesinë e lodhjes që në mëngjes.
Një tjetër element që shpesh neglizhohet është ambienti ku flini. Partneri që lëviz shumë, gërhitja apo edhe një orar i ndryshëm gjumi mund të prishin ciklin tuaj pa e kuptuar.
Përveç këtyre, ekspertët theksojnë se edhe detaje të vogla bëjnë diferencën: një dhomë e rrëmujshme, temperatura e papërshtatshme apo marrja e vitaminave në kohën e gabuar mund të ndikojnë që të mos hyni në gjumin e thellë dhe rigjenerues.
