Në pamje të parë duket sikur debatet në çift lindin për gjëra fare të parëndësishme: një fjalë e thënë ndryshe, një mesazh i pa kthyer apo një zakon i bezdisshëm. Por në realitet, këto përplasje të vogla shpesh janë vetëm “maja e ajsbergut”.
Sipas ekspertëve të marrëdhënieve, arsyeja e vërtetë nuk lidhet gjithmonë me situatën konkrete, por me emocione të pashprehura që grumbullohen me kohën. Stresi, lodhja apo edhe probleme të tjera personale mund të reflektohen te partneri, duke e kthyer atë në “shënjestër” të reagimeve tona. 
Një tjetër faktor i rëndësishëm është fakti që shumë konflikte nuk zgjidhen plotësisht. Kur një çështje lihet pezull, ajo rikthehet vazhdimisht në forma të ndryshme, shpesh edhe për arsye të vogla që në thelb lidhen me të njëjtin problem të pazgjidhur. 
Po ashtu, mënyra si komunikojmë luan rol kyç. Fjalët e thëna në nerva, keqkuptimet dhe mungesa e dëgjimit aktiv mund të përshkallëzojnë një situatë të thjeshtë në një debat më të madh seç duhet. 
Në fund, grindjet për gjëra të vogla nuk janë domosdoshmërisht shenjë problemi të madh në lidhje, por një sinjal që diçka më e thellë kërkon vëmendje. Çelësi është të kuptoni shkakun real dhe të komunikoni hapur, përpara se ato “gjëra të vogla” të bëhen arsye të mëdha.
