Producenti i njohur shqiptar paralajmëron padi për Azet: Ja si mu vodh kënga në mënyrë tinëzare

Këngët që kopjohen apo vidhen qoftë nga të huajt apo artistët shqiptarë ndërmjet vete tashmë nuk janë të pakta në numër.

E kjo madje po ndodh edhe nëpërmjet studiove muzikore, gjegjësisht nga producentët që qëndrojnë prapa këtyre hiteve.

Një gjë e tillë duket se së fundmi ka ndodhur edhe me producentin Shkumbin Nebihu, i cili ka akuzuar dyshen Azet dhe Zuna për vjedhjen e projektit të tyre të ri të quajtur “KMN”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Bini Nebihu (@bini_diez)

Projekti i lartpërmendur, që u lansua pesë ditë më parë, thuhet se është prodhim i studios Bini Diez – e që do të lansohej nga artisti i ri Gent.

Kështu të paktën ka bërë të ditur producenti nga Ferizaj, i cili në një sqarim dhënë për Telegrafin ka folur më shumë rreth kësaj çështje.

“E vërteta është që Zuna ka qenë në studio te unë dhe kemi folur për disa projekte që i ka në albumin e fundit me Azetin. Kemi biseduar që t’i realizojmë te unë. E ka sjell një menaxher i tij që ka qenë për Kosovë edhe ne ndërkohë ky artisti, Genti, që është një artist i imi, i Belgjikës ka qenë aty prezent. Duke biseduar, është interesuar për këtë djalin pasi i thash se është reper. Ia lëshova këtë këngën, e cila ka pasur që të publikohet tani. Ky projekt ka qenë i artistit tim që ia lëshova. Më tha se po më pëlqen shumë kënga, dhe i thashë po por është e këtij artistit. Nuk mundem që ta jap. Mund të bëjmë diçka të re. E kam vërejtur që ka inçizuar diçka në telefon, e ka inçizuar këtë këngën me ‘voice record’”, tha fillimisht Shkumbini.

Ai më pas thotë se i është drejtuar menaxherit të tij duke i thënë se e ka incizuar këngën, e më pas shtoi se doli edhe nga studio duke e interpretuar.

“I thashë menaxherit të vet se e ka inçizuar diçka dhe më tha jo se është duke folur në telefon. Nuk mund që t’ia merrja telefonin unë, do të thotë e kam folur me producenta i kam thënë që më ka marrë atë këngë. Se edhe pasi doli nga studio e kam dëgjuar duke kënduar, i mbeti në kokë refreni”, thekson ai.

E kjo mbase nuk është hera e parë për Shkumbinin, meqë thotë se një çështje të njëjtë e kishte edhe vitin e kaluar me reperin shqiptar që jeton dhe vepron në Gjermani.

“Është e vërtetë që edhe verën e kaluar ka ndodhur kjo me një këngë tjetër të Azetit”, vazhdon Nebihu.

Producenti në anën tjetër thotë se nuk është takuar akoma me menaxhmentin e Azetit, por që ka bërë kërkesë që kënga të fshihet nga YouTube.

“Nuk jemi takuar akoma, do të vijnë të shtunën që të takohemi. Kërkesën në YouTube e kam bërë për ta fshirë këngën. Të shtunën do të takohemi dhe ta mbyllim këtë punë”.

“Do t’i padis, dhe në YouTube e kam bërë kërkesën për të fshirë këngën. Nuk kam pasur më herët, hera e dytë që kam problem. Nuk kam qejf të dal edhe në intervista, unë e kam ngritur zërin këtë herë pasi kjo po i ndodh shumë producentëve në Kosovë e Shqipëri por nuk po guxojnë që të flasin, frikësohen. Mendojnë që do të kenë kërcënime. Por unë kur kam të drejtë, kur është e drejta ime autoriale nuk ka askush që mundet të më mposht”, thotë më tej ai.

I njëjti deri më tani ka bashkëpunuar me një sërë artistësh të njohur dhe thotë se nuk ka ndonjë prej tyre që nuk ka realizuar një këngë të vetme në studion e tij.