Prestigjiozja zvicerane reklamon Kosovën: Këto vende ia vlen të vizitohen

Italia, Greqia, Spanja – këto janë zakonisht destinacionet kryesore të pushimeve për zviceranët. Kosova nuk është në krye të listës edhe pse ka vende të bukura që ia vlen të vizitohen, shkruan Blick.

Gjeravica

Gjeravica është maja më e lartë në Kosovë dhe një atraksion i vërtetë për adhuruesit e natyrës që çdo alpinist amator mund ta pushtojë. Pas një udhëtimi njëorësh me xhip nga Juniku, duhen rreth katër deri në gjashtë orë ecje për të arritur majën. Shpërblimi: një pamje spektakolare dhe një not në një nga liqenet akullnajore.

Rugova

Rugova ndodhet jo larg Gjeravicës në rajonin e Pejës. Rajoni të bën përshtypje me malet, pyjet, lumenjtë dhe liqenet e tij. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë turistë të huaj e kanë zbuluar Rugovën – dhe me të drejtë.

Artana

Artana është një nga vendet më të rëndësishme në Kosovë për sa i përket historisë mesjetare të vendit. Në këtë qytet dikur jetonin mbi 50.000 banorë, popullsia përbëhej nga minatorë saksonë, osmanë, kozakë, shqiptarë, sllavë dhe shumë popuj të tjerë që u sollën në këtë vend për të punuar në minierat e argjendit. Në fakt, Artana ishte një Nju Jork apo Londër e ditëve moderne në Mesjetë pasi ishte një metropol i vërtetë që ofronte vende pune për njerëzit e aftë në artin e nxjerrjes së argjendit dhe përpunimit të argjendit.

Qendra e skijimit në Brezovicë

Ka një arsye kryesore për të ardhur në Brezovicë: skijimi. Është destinacioni dimëror më i vizituar në Kosovë. Brezovica ka 16 kilometra shpate me gjatësi mesatare prej katër kilometrash. Vendi shërben si qendër stërvitore për ekipet kosovare të sporteve dimërore.

Liqenet e Mirushës

Liqene, gryka të lë pa frymë dhe fauna e bukur: një vizitë në Liqenet e Mirushës ia vlen patjetër një udhëtim. Por kini kujdes: ka shumë hardhuca dhe disa gjarpërinj në rrugë.

Shpella e Gadimes

Është 1500 metra e gjatë, por për turistët është e mundur të shohin vetëm 1300 metrat e para të shpellës, pasi kalimet nuk janë ende të mundshme për pjesën tjetër të kalimeve të shpellës. Shpella e Gadimes është shpella më e njohur e stalaktiteve në Kosovë dhe aktualisht e vetmja e hapur për vizitorë. Ajo që e bën të veçantë shpellën është aragoniti, i cili rrallëherë gjendet si dekor i shpellës.

Kalaja e Prizrenit

Kalaja e Prizrenit është monumenti më i famshëm i trashëgimisë kulturore dhe simboli i qytetit të Prizrenit. Kalaja është e ndërtuar në një kodër të lartë nga e cila shihet i gjithë qyteti i Prizrenit. Rruga për në kështjellë zgjat 15 minuta në këmbë.