Një video e këngëtarit italian të grupit fitues të “Eurovision 2021”, Maneskin, në të cilën ai dukej sikur merrte kokainë gjatë transmetimit të spektaklit është bërë tashmë virale. Pamjet tregonin se si Damiano David përkulej mbi tavolinë dhe konsumonte lëndën narkotike, por ky i fundit e mohoi këtë gjë.
Ndërkohë që nuk kanë kaluar as 24 orë nga ngjarja e dyshimtë, mësohet se anëtarët e “Maneskin” do t’i nënshtrohen një testi droge në vendin e tyre, Itali. Nuk dihet ende se kur do kryehet, por interesi i mediave është i madh.
Kujtojmë se Damiano sqaroi çdo gjë gjatë një konference për shtyp. Ai tha se një nga anëtarët e grupit (kitaristi) kishte thyer një shishe dhe ai kishte hequr një xham. “Thomas theu një shishe… unë nuk përdor drogë, ju lutem, mos e thoni këtë gjë. Mos e thoni këtë gjë realisht. Jo kokainë ju lutem, mos e thoni këtë gjë”, u shpreh këngëtari.
Italia fitoi Eurovisionin pas 31 vitesh duke u përfaqësuar nga “Maneskin” me këngën rock “Zitti e Buoni”. Grupi u shpall fitues vetëm pas votave të publikut duke shkuar në total në 524 pikë. /Afterparty.al
