Më 12 gusht 2026, Europa do të jetë dëshmitare e një prej fenomeneve më të rralla astronomike të dekadës: një eklips total diellor, i pari që do të shihet në kontinent pas pothuajse 30 vitesh.
Fenomeni do të jetë i dukshëm në formën e tij të plotë në zona të Groenlandës, Islandës, veriut të Spanjës dhe pjesë të Portugalisë, ndërsa në shumë vende të tjera të Europës, përfshirë Shqipërinë, do të mund të vërehet si eklips i pjesshëm.
Një eklips total ndodh kur Hëna kalon mes Tokës dhe Diellit, duke bllokuar përkohësisht dritën e tij dhe duke krijuar errësirë për disa minuta në zonat ku fenomeni shihet i plotë. Ky moment konsiderohet ndër ngjarjet më mbresëlënëse astronomike që mund të përjetohen nga syri i njeriut.
Ekspertët parashikojnë se mijëra turistë dhe adhurues të astronomisë do të udhëtojnë drejt vendeve që ndodhen në rrugën e eklipsit për të ndjekur këtë spektakël natyror. Në Spanjë, ku fenomeni do të jetë veçanërisht i dukshëm, interesimi është rritur ndjeshëm dhe janë planifikuar aktivitete të shumta për vëzhgimin e tij.
Astronomët kujtojnë se eklipsi nuk duhet parë kurrë me sy të lirë apo me syze dielli të zakonshme, pasi rrezet e Diellit mund të dëmtojnë seriozisht shikimin. Për ta ndjekur në mënyrë të sigurt rekomandohen syze të posaçme të certifikuara për vëzhgimin e eklipseve.
Ky fenomen shënon nisjen e një periudhe të pasur me ngjarje astronomike, pasi në vitet në vijim do të ndodhin edhe eklipse të tjera spektakolare që pritet të tërheqin vëmendjen e miliona njerëzve në mbarë botën. (panorama.com.al)
