Pamje të frikshme nga tërmeti i ri që goditi mbrëmë Turqinë (VIDEO)

3 persona humbën jetën si pasojë e 9 lëkundjesh tërmeti këtë të hënë në Turqinë jugore në kufi me Sirinë.

Dy prej lëkundjeve ishin mjaft të forta me magnitudë 6.4 dhe 5.8 ballë që goditën provincën Hatay. Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu tha se veç 3 jetëve të humbura ka edhe 213 të plagosur dhe që janë dërguar në spital.

 

Kanë rinisur operacionet e kërkimit në 3 ndërtesa të shembura. Mes viktimave është një grua që humbi jetën nga rrëzimi i një blloku betoni që i ra në kokë në qytetin e Samandag. Të lënduar janë shënuar edhe në Siri, në Alepo dhe Idlib. Lëkundjet u ndjenë jo vetëm në Siri, por edhe në Liban, Irak, Izrael dhe Rripin e Gazës.

“Fatkeqësisht disa shtëpi janë shembur. Njerëzit kanë mbetur nën rrënoja”, – tha guvernatori i Hatay, Lutfu Savas, duke shtuar se ekipet e shpëtimit janë dërguar në vendngjarje për t’i ndihmuar. “CNN Turk” raportoi se një foshnjë 1-vjeçare ka mbetur nën rrënoja. Guvernatori i Adanas tha se në qytetin e tij nuk raportohet për dëme pas lëkundjeve të fundit. 

“Deri më tani ka pasur 6414 pasgoditje që nga 6 shkurt. Dua t’ju kujtoj edhe një herë se qytetarët e kanë të ndaluar të hyjnë në ndërtesa të rrezikshme për të larguar mallra” – tha një nga zyrtarët.

Nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.8 që tronditi të njëjtën zonë më 6 shkurt, 41 mijë njerëz vdiqën në Turqi dhe rreth 6 mijë në Siri. Më shumë se 1 milion njerëz kanë mbetur të pastrehë.