Nga Shakira te Taylor Swift, pse gjithnjë e më shumë VIP-a po largohen nga Los Angeles?

Për shumë vite, Los Angeles ishte destinacioni kryesor për çdo artist, aktor apo influencer që ëndërronte famën. Por së fundmi, një trend i ri po vihet re në botën e showbiz-it: gjithnjë e më shumë VIP-a po largohen nga zemra e Hollywood-it për të ndërtuar një jetë më private dhe më të qetë.

Një nga arsyet kryesore duket se është lodhja nga vëmendja e vazhdueshme mediatike. Paparacët, trafiku, ritmi i shpejtë i jetës dhe mungesa e privatësisë kanë bërë që shumë emra të njohur të kërkojnë një stil jetese larg kaosit të LA.

Taylor Swift është një nga emrat që kalon pjesën më të madhe të kohës në New York City dhe në prona private larg jetës klasike hollywoodiane. Ndërkohë, Shakira pas ndarjes së shumëpërfolur, zgjodhi të kalojë më shumë kohë në Miami, duke preferuar një ambient më familjar dhe më të qetë.

Edhe Nicole Kidman dhe Jessica Biel kanë preferuar jetën larg Hollywood-it, duke kaluar më shumë kohë në Tennessee, larg kamerave dhe presionit të industrisë së argëtimit.

Sipas mediave amerikane, një tjetër arsye e rëndësishme janë taksat e larta dhe kostoja marramendëse e jetesës në Kaliforni. Për këtë arsye, shumë yje po investojnë në vila luksoze në shtete si Florida, Texas apo Tennessee, ku jetesa konsiderohet më komode dhe më private.

Pandemia gjithashtu ndryshoi mënyrën si funksionon industria e showbiz-it. Takimet online dhe projektet në distancë bënë që prezenca fizike në Hollywood të mos jetë më aq e domosdoshme sa dikur.

Megjithatë, edhe pse shumë VIP-a po largohen, Los Angeles vazhdon të mbetet simboli më i madh i famës dhe industrisë së argëtimit në botë.