Nëse nuk e tejkaloni dot një debat në çift, rregulli i 5 sekondave mund të jetë zgjidhja

Psikologët e “University of St Andrews” kanë arritur në përfundimin se çiftet që bëjnë një pushim prej pesë sekondash gjatë një debati me partnerin/en mund të ulin nivelin e agresivitetit dhe përshkallëzimit të grindjeve.

Në 81 çifte që morën pjesë në këtë studim, ata zbuluan se pushimet e shkurtra prej pesë sekondash reduktonin emocionet negative dhe agresivitetin.

“Detyrimi i çifteve për të bërë një pushim prej pesë sekondash ishte po aq efektiv sa një pushim prej 10 ose 15 sekondash, gjë që tregon se edhe pauzat më të shkurtra mund të ndihmojnë në zbutjen e një debati,” tha Annah McCurry nga “School of Psychology and Neuroscience”.

Si pjesë e hulumtimit, çiftet u angazhuan në një lojë në të cilën ata duhet të reagonin pas një debati me partnerin/en e tyre. Grupet morën pjesë në 30 raunde të lojës, me pushime të zbatuara në intervale të ndryshme, ndërsa studiuesit analizuan përgjigjet e tyre emocionale.

Pedagogia McCurry dhe kolegët e saj zbuluan se çiftet prireshin të përputheshin në pjesën e agresivitetit ndaj njëri-tjetrit, madje edhe në nivele të larta. Por, zbatimi i një pushimi të shkurtër ndërpreu këtë model hakmarrjeje, duke çuar në një agresivitet më të ulët.

Megjithatë, studiuesit theksuan se strategjia prej pesë sekondash synon të menaxhojë konfliktet jo dhe aq të mëdha, duke parandaluar përshkallëzimin e tyre në situata më serioze.

“Kjo qasje nuk zbatohet për skenarët e dhunës në familje. Kjo ka të bëjë me menaxhimin e debateve të zakonshme dhe diskutimeve që thuajse të gjithë çiftet kanë në përditshmërinë e tyre,” përfundoi McCurry.