Në nderim të Madeleine Albright, e premtja shpallet ditë zie në Kosovë

Kosova e ka shpallur ditë zie të premten, në nderim të jetës dhe veprës së Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë të mërkurën.

Këtë vendim, e ka shpallur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo ka shpallur të premten, 25 mars, ditë zie, si shenjë nderimi pas vdekjes së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

“Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë, sepse edhe vetë e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Osmani në një deklaratë të lëshuar nga Presidenca.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka vdekur të mërkurën, në moshën 84-vjeçare.

Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter.

Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997. Në këtë post shërbeu deri në vitin 2001, në administratën e Bill Clintonit.
Albright ka qenë sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.