Kylian Mbappe ka ndërmarrë veprime ligjore kundër ish-klubit të tij, Paris Saint-Germain, pasi ai kërkon shumën prej 55 milionë euro që beson se i detyrohet francezët.
Mbappe u largua nga PSG si lojtar i lirë këtë verë dhe kaloi te Real Madrid, por është përfshirë në një mosmarrëveshje me klubin e tij të vjetër mbi ato që ai beson se janë pagat e papaguara dhe bonuset e besnikërisë nga koha e tij në kryeqytetin francez.
Konkretisht, Mbappe po argumenton se ai nuk është paguar për tre muajt e fundit të karrierës së tij te PSG, ndërsa këmbëngul se nuk ka marrë ende pjesë të bonusve në kontratën e tij.
Tani çdo gjë do të kalojë në duart e UEFA-s, me mediat në Francë që raportojnë se nëse PSG shpallet fajtore, jo vetëm që duhet t’i paguajë 55 milionë eurot Mbappes, por gjithashtu do të rrezikojë të përjashtohet nga Liga e Kampionëve./SuperSport