Mbante të izoluara dhe me kamera nënën, gruan dhe fëmijët, arrestohet 35 vjeçari në Tiranë!

Jetnor Zhaboli, 35-vjeçar kishte blinduar në banesën e tij me kamera sigurise, nënën, vajzën e tij të mitur dhe bashkëshorten.

I riu me profesion ekonomist u arrestua ditën e sotme nga blutë e Tiranës, pasi përveçse mbante mbyllur në banesë familjaret e tij, ushtronte dhunë psikologjike dhe fizike sistematikisht ndaj bashkëshortes së tij.

Ai kishte instaluar kamera në çdo cep të shtëpisë madje edhe në dhomën e gjumit dhe në tualet, duke monitoruar kështu nënën, gruan dhe vajzën e tij gjatë gjithë kohës.

Më herët u bë me dije se ai kishte montuar dhe bllokues valësh që në momentin që ai ndodhej jashtë banesës nëna, bashkëshortja dhe vajza mos të kishin mundësi komunikimi me asnjë person. Ndër të tjera u raportua se bashkëshortja e Zhabolit kishte tentuar vetëvrasje.

Efektivët e policisë gjatë kontrollit në banesë gjetën dy letra që gruaja i kishte shkruar për familjarët e saj, ku iu linte lamtumirën dhe i kërkonte falje.

Ndërkohë, 35-vjeçari gjatë dëshmisë së dhënë para forcave të policisë ka thënë se të gjitha këto veprime i ka bërë në mënyrë për të mbrojtur, nënën, vajzën e tij dhe bashkëshorten.
“E kam bërë për ti mbrojtur”, mësohet të ketë thënë i riu. Sakaq, burime për mediat bëjnë me dije se do të jetë ekspertiza ajo që do të përcaktojë gjëndjen mendore të Jetnor Zhabolit.

Fillimisht, policia kishte marrë informacione dhe kishte indicie se i riu mbante familjarët të mbyllur. Pasi efektivët kishin shkuar në banesë, kanë konstatuar se dera kryesore ishte e mbyllur. Ata më pas kanë njoftuar e shoqëruar Zhabolin i cili ka hapur derën e banesës./Kryefjala