Martohet Malala, nobelistja që theu tabutë dhe tronditi botën me historinë e saj

Një ndër librat më të shitur në botë viteve të fundit është “Unë jam Malala” ku tregohet historia e vërtetë e Malala Yousafzai.

Vajza fitoi çmimin Nobel për fushatën e arsimimit të vajzave, arsye për të cilën u qëllua në kokë nga talebanët.

24-vjeçarja është martuar pothuajse një dekadë pas kësaj ngjarjeje me partnerin e saj Asser Malik në një ceremoni private të organizuar në shtëpinë e saj në Birmingham.

Malala publikoi në Twitter disa fotografi nga dita e dasmës, ku kishte veshur një fustan të bukur ngjyrë rozë.

“Sot shënohet një ditë e çmuar në jetën time. Asser dhe unë u martuam për të qenë partnerë për jetën. Ne festuam një ceremoni të vogël në shtëpi në Birmingham me familjet tona. Ju lutem na dërgoni lutjet tuaja. Ne jemi të emocionuar që do të ecim së bashku për udhëtimin që kemi përpara”, shkroi Malala sipër fotove.

Malala u qëllua në kokë teksa ishte ulur në autobusin e shkollës pasi sfidoi talebanët duke vazhduar të shkonte në shkollë.

Për mrekulli, ajo mbijetoi dhe u dërgua me urgjencë në Britani për trajtim mjekësor dhe vazhdoi punën e saj të jashtëzakonshme. Karriera e saj arriti kulmin duke u bërë fituesja më e re e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2014, vetëm 17 vjeçe.

Besimet e saj pasionante mbi barazinë e femrave u formësuan nga z. Yousafazi, një ish-mësues i cili foli publikisht kundër talebanëve dhe përpjekjeve të tyre për të ndaluar arsimin e vajzave, edhe para se ajo të qëllohej nga ata.

Z. Yousafazi pranoi se besimet e tij janë ‘jashtëzakonisht të rralla’ në komunitetin Pashtun dhe se edhe kur ishte në Pakistan, ai do të kundërshtonte martesat e detyruara dhe do të theksonte rëndësinë e arsimimit të vajzave.