“Lajm i mirë për t’u zgjuar”, Dua Lipa e gëzuar për arritjen e “Zgjoit” në rrethin e ngushtë të nominimeve për “Oscars 2022”

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka shpallur listën e ngushtë në 10 kategori për ceremoninë e ardhshme të edicionit të 94-të të ndarjes së çmimeve “Oscars”.

Pjesë e listës së ngushtë në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” është edhe filmi kosovar “Zgjoi (Hive)” i regjisores Blerta Basholli, i cili është propozim i Kosovës për në nominimet e “Oscars 2022”.

Votimi i nominimeve fillon të enjten, më 27 janar dhe përfundon të martën, më 1 shkurt, gjersa më 8 shkurt do të bëhet e ditur lista finale e nominimeve.

Për këtë sukses të filmit kosovar është gëzuar edhe Dua Lipa.

Kjo e fundit ka rishpërndarë në InstaStory një postim të bërë nga regjisorja Blerta Basholli, ku e etiketuar ka qenë edhe vet Dua.

“Lajmi më i mirë për t’u zgjuar”, shkroi Lipa në InstaStory, duke iu gëzuar kështu suksesit të filmit “Zgjoi”.

Dua përndryshe së bashku me prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën, ka qenë e pranishme fizikisht në premierën e “Zgjoi” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka takuar nga afër regjisoren Basholli, aktoren Gashi dhe ekipin realizues.