Kur miqësia fillon të marrë tjetër drejtim: Shenjat që tregojnë se ndjenjat kanë ndryshuar

Jo rrallëherë, një lidhje dashurie lind aty ku gjithçka ka nisur si një miqësi e thjeshtë. Kur mes dy personave ekziston besimi dhe mirëkuptimi, ndjenjat mund të evoluojnë gradualisht në diçka më të thellë, edhe pse jo gjithmonë është e lehtë për t’u dalluar momenti kur kjo ndodh.

Sipas psikologëve, ka disa sinjale të vogla që tregojnë se raporti mund të mos jetë më vetëm shoqëror. Një prej tyre është një lloj ndrojtjeje që shfaqet papritur. Personi që më parë e kishe shumë të afërt, tani mund të të bëjë të ndihesh paksa në siklet, madje edhe kontakti me sy nuk vjen më aq natyrshëm. 

Një tjetër shenjë është fakti që e mendon shpesh atë person, sidomos në momente të vështira emocionale. Pa e kuptuar, ai ose ajo bëhet pika ku kërkon qetësi dhe mbështetje.

Në disa raste, këto ndjenja shoqërohen edhe me një ndjesi faji. Frika se pranimi i tyre mund të prishë miqësinë ekzistuese i bën shumë njerëz t’i mohojnë ose t’i mbajnë për vete emocionet që kanë.

Ndryshimet mund të reflektohen edhe në përditshmëri: mund të humbasësh pak oreksin, të shpërqendrohesh më lehtë apo edhe ta shohësh atë person shpesh në ëndrra. Mendja fillon të sillet rreth tij/saj më shumë se zakonisht.

Megjithatë, kalimi nga miqësia në dashuri nuk është aspak i pazakontë. Studime të ndryshme tregojnë se një pjesë e madhe e çifteve kanë qenë fillimisht miq, dhe shumë prej tyre kanë ndërtuar marrëdhënie të forta e afatgjata.