Një valë e re mashtrimesh online po qarkullon së fundmi, ku persona të paidentifikuar po përdorin emrin e Postës Shqiptare për të mashtruar qytetarët dhe për të vjedhur të dhëna personale apo financiare.
Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, mashtruesit dërgojnë mesazhe përmes SMS-ve ose email-eve, duke pretenduar se përdoruesi ka një dërgesë të bllokuar dhe duhet të klikojë një link për ta zhbllokuar atë. Në realitet, këto lidhje çojnë në faqe të rreme, të ndërtuara për të marrë informacione sensitive si të dhëna personale apo karta bankare.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal, duke theksuar se institucionet zyrtare nuk kërkojnë asnjëherë pagesa apo të dhëna personale përmes linkeve të dërguara në mesazhe. Çdo komunikim i tillë duhet konsideruar i dyshimtë dhe nuk duhet hapur.
Ekspertët këshillojnë qytetarët:
• të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë
• të mos japin të dhëna personale apo bankare online
• të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta te autoritetet përkatëse
Sipas specialistëve, raste të tilla janë shtuar ndjeshëm edhe për shkak të përdorimit të të dhënave të publikuara në internet ose të siguruara nga thyerje databazash, duke i bërë qytetarët më të ekspozuar ndaj mashtrimeve.
