Ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare Birçe Hasko, aktori i njohur i kinematografisë shqiptare.
Lajmin e trishtë e ka shpërndarë Mevlan Shanaj, i cili vlerëson figurën e kolegut dhe mikut të tij.
“Ka ikur Birçe Hasko.Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare.Ka ikur njeriu që solli karakterin ” popullor” të jugut duke e bërë të pavdekshëm.Iku labi Birçe Hasko.
Ka ikur njeriu që i dha emrin konkretësi mjeshtrisë së interpretimit.Ka ikur ai që humorin dhe rreptësinë i kishte pronë të karakterit.Lamtumirë Mik bashkëpunëtor ! NJERI”, shkruan Shanaj.
Hasko është një emër i njohur i estradës shqiptare. Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” shkruar nga Teodor Laço.
Po ashtu një kontribut të çmuar ka edhe në kinematografinë shqiptare, ku ka interpretuar me dhjetëra role. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971 në rolin e ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”. Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Jahos tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43” në vitin 1980, roli i mesuesit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009.
Në vitin 1995, merr titullin Profesor. Në vitin 1976, urdhri “Naim Frashëri”, klasi i dytë , në vitin 1988 “Artist i Merituar”. 18 Prill 1987, Medaljonin e Festivalit për interpretimin e rolit të Dajës në filmin “Dhe vjen një ditë” në Festivalin e VII-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 13 deri në 18 prill të vitit 1987. 22 Prill 1989, Çmimi i III-të për interpretimin e rolit të Babait të Danës në filmin “Shkëlqim i përkohshëm” në Festivalin e VIII-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 18 deri më 22 prill të vitit 1989.
Në vitin 2002 merr titullin “Mjeshtër i Madh” ne vitin 2007 shpallet “Qytetar Nderi” i Orikumit. Birce Hasko është aktor popullor në Shqipëri, ai ka lozur në më shumë se 30 filma.
