Kërkuan të ishin pjesë e ‘Eurovision 2025’/ Kosova refuzohet sërish

Kosova as në vitin 2025 nuk do të marrë pjesë në Eurovision.

Transmetuesi Publik i Kosovës RTK nuk e ka marrë ftesën e lakmuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision 2025 në Zvicër.

Sipas një postimi të llogarisë zyrtare të Kosovës në Eurovizion në X (ish-Twitter), EBU nuk dha dritën jeshile për arsye politike, shkruan Eurovision News.

Po ashtu, ata kanë konfirmuar për RTK-në se për të marrë pjesë në garën evropiane të muzikës duhet të bëhen anëtarë të plotë të organizatës së transmetuesve publikë të gjitha shteteve.

Për më tepër, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pa e pranuar kjo e fundit këtë fakt. Deri më sot, 104 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe tri vende të tjera jo anëtare të OKB-së (Tajvani, Ishujt Kuk dhe Niue) e kanë njohur Kosovën si të pavarur, ndërsa 10 vende e kanë tërhequr njohjen.

Në nivel evropian, pavarësia e Kosovës nuk njihet nga Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnje-Hercegovina, Qiproja, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Spanja dhe Ukraina.

Pavarësisht se si shtet a munguar, Kosova ka “prekur” disa herë Eurovisionin përmes Shqipërisë, në rastet kur ata zgjodhën si përfaqësues të shtetit shqiptar artistë nga Kosova si: Rona Nishliu (2012), Lindita Halimi (2017) dhe Albina dhe Familja Kelmendi (2023).