Që nga mëngjesi e deri në mbrëmje shpesh ankohemi që nuk kemi energji. Plogështinë mundohemi ta luftojmë me sakrificë dhe më kafeinë, por na nevojitet më shumë se kaq.
E vërteta është se mjaftojmë të bëjmë disa ndryshime të vogla në stilin tonë të ushqyerjes dhe gjallëria do të kthehet një herë e mirë. Po ju mësojmë si të mposhtni plogështinë e të jeni energjikë në mënyrë natyrale.
Rikthimi i energjisë
Ndiheni të pangopur me gjumë dhe nuk mendoni dot për asgjë tjetër përveç se rehatisë së shtratit? Ndiqni këshillat e mëposhtme që të transformoni trupin tuaj dhe të gjallëroni mendjen.
Lëvizni
Vetëm 10 minuta ecje dhe do të ndiheni energjikë për të paktën 2 orë, thonë studimet.
Provoni shtriqjen
Qëndroni në prag të derës me këmbët e ndara pak centimetra. Përpiquni të kapni pjesën e sipërme të derës.
Mbajini gishtat të puthitur fort dhe ngrijeni kraharorin lart deri sa të ndieni shtriqjen e trupit. Qëndroni në atë pozicion për 30 sekonda.
Kjo metodë stimulon sistemin nervor, që është më aktivi, ndaj do të kuptoni menjëherë rikthimin e energjisë në trup dhe në tru.
Aktiviteti fizik
Të dhënat tregojnë se 60% e njerëzve ndihen më energjikë pas stërvitjes ose aktivitetit fizik.
Hani shëndetshëm
Studimet kanë treguar se acidet yndyrore Omega-3 përmirësojnë funksionet e trurit, humorin dhe janë thelbësorë kundër plogështisë së mesditës. Energjia do ushqim
Nëse dëshironi të përmirësoni energjinë tuaj çdo ditë, zëvëndësoni proteinat shtazore me ato bimore. Proteinat bimore janë të dobishme për bakteret e mira në aparatin tretës dhe forcojnë imunitetin. Ato kanë aftësinë të përmirësojnë humorin. Po ju tregojmë një menu të thjeshtë për ditën ideale.
Mëngjesi: Një lëng me fruta pylli. Përzieni në mikser gjysmë gote me fruta pylli, avokado dhe dhe një gotë qumësht soje. Ky lëng do t’ju plotësojë nevojën për fibër dhe proteina dhe do të mbajë nivelet e sheqerit në gjak të qëndrueshme deri në drekë.
Dreka: Supë me thjerëza dhe sallatë jeshile. Thjerëzat dhe sallata jeshile janë një kombinim fantastik që ofron proteina, fibër, hekur, kalium, zink, folat dhe shumë të tjera.
Zemra: Fruta dhe arrorë. Kjo dyshe fantastike përbën ekuilibrin e duhur të karbohidrateve, proteinave dhe yndyrnave që do ju japin fuqi deri pasdite.
Darka: Perime. Kombinoni pak fasule, sallatën jeshile, domatet, avokadon në një pite të hollë misri. Ky është një vakt i lehtë që nuk do t’ju prishë gjumin. Duhet të hani të paktën 2 orë përpara gjumit.
Mos e injoroni lodhjen!
Ndonjëherë gjumi nuk mjafton për të zgjidhur problemin e lodhjes. Më poshtë, do të gjeni disa shpjegime mjekësore për energjinë e munguar.
Anemia. Kjo sëmundje shfaqet kryesisht te femrat. Anemia ndodh kur organizmi nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe gjaku të shëndetshme që të transportojnë oksigjenin. Nëse analizat e gjakut tregojnë se vuani nga anemia atëherë duhet të shtoni dozën e suplmenteve të hekurit.
Sëmundja e celiakisë. Një nga simptomat kryesore të kësaj sëmundjeje është lodhja. Kjo sëmundje shkaktohet nga reagimet imunitare ndaj dëmit që shkakton gluteni në sistemin tretës. Nëse analizat e gjakut sugjerojnë se vuani nga kjo sëmundje, terapia më e mirë janë ushqimet pa gluten.
Sëmundjet e zemrës. 70 përqind e njerëzve që kanë vuajtur nga një atak në zemër, kanë treguar se kanë përjetuar një lodhje të pazakontë, pothuaj një muaj përpara goditjes.
Hipotiroidizimi. Nëse organizmi nuk prodhon mjaftueshëm hormonin e tiroides, atëherë do të përjetoni një lodhje dhe këputje të vazhdueshme. Ky çrregullim mund të trajtohet me mjekime, sipas këshillës së mjekëve.