Katy Perry përplaset me Trump: Mos e përdorni muzikën time për luftë!

Katy Perry ka reaguar ashpër pasi kënga e saj ikonike “Firework” u përdor pa lejen e saj në një video të publikuar nga Shtëpia e Bardhë në TikTok, ku shfaqeshin pamje të sulmeve ushtarake ndaj Iranit. Videoja, e shoqëruar me mbishkrimin “Iran has been warned” (“Irani është paralajmëruar”), sinkronizonte shpërthimet me vargjet e njohura të këngës.

Këngëtarja nuk e fshehu zemërimin, duke deklaruar se nuk ishte pyetur dhe nuk kishte dhënë asnjë miratim për përdorimin e muzikës së saj. Ajo theksoi se “Firework” është shkruar si një himn shprese, force të brendshme dhe vetëbesimi, jo për të shoqëruar skena lufte apo për të glorifikuar dhunën. Perry e cilësoi këtë përdorim si “një shkelje të plotë të gjithçkaje që përfaqëson kënga ime”.

Ky nuk është rasti i parë kur artistë të njohur kundërshtojnë përdorimin e muzikës së tyre në materiale politike ose ushtarake. Emra si Céline Dion, Ariana Grande, Olivia Rodrigo, Bruce Springsteen dhe të tjerë kanë reaguar më parë ndaj përdorimit të paautorizuar të këngëve të tyre nga administrata Trump.

Deklarata e Katy Perry ka nxitur debat në rrjetet sociale mbi kufijtë e përdorimit të veprave artistike në komunikimin politik dhe rëndësinë e respektimit të mesazhit që artistët synojnë të përcjellin përmes muzikës së tyre.