Kapakë të rënë? Ja si të “ngresh” sytë vetëm me disa truke

Kapakët e rënë të syve janë një nga shqetësimet më të zakonshme estetike, pasi shpesh e bëjnë fytyrën të duket më e lodhur sesa është realisht.

Megjithatë, me disa truke të thjeshta në grim, sytë mund të duken më të hapur dhe më të freskët, pa pasur nevojë për teknika të komplikuara.

Një rol të rëndësishëm luajnë vetullat. Kur ato formësohen në mënyrë natyrale dhe mbushen lehtë, krijojnë efektin e ngritjes së zonës së syve. Nuk është e nevojshme të jenë të theksuara fort, mjafton një definim i butë për një pamje më të rregullt.

Grimi i syve duhet të jetë i lehtë dhe i menduar mirë. Në vend të vijave të forta me ajlajner, preferohen hije më të buta pranë vijës së qerpikëve. Në pjesën e jashtme të syrit, ngjyrat zbuten lehtë drejt tëmthave, duke dhënë një efekt ngritës.

Përdorimi i nuancave të ndryshme krijon thellësi. Tonet më të errëta vendosen në këndin e jashtëm, ndërsa ato më të çelëta aplikohen poshtë vetullës për të hapur shikimin.

Qerpikët janë një tjetër element kyç. Lakimi i tyre dhe aplikimi i maskarës me kujdes ndihmon që sytë të duken më të mëdhenj. Nëse maskara përqendrohet në pjesën qendrore, efekti bëhet edhe më i dukshëm.

Me këto hapa të thjeshtë, kapakët e rënë mund të menaxhohen lehtësisht dhe fytyra të marrë një pamje më të freskët dhe më të çlodhur.