Mbrëmjen e të mërkurës në Pogradec u mbajtën homazhe dhe u ndezën qirinj nga qytetarë, të afërm dhe shoqëria civile për 42-vjeçarin Egli Proga, i cili humbi jetën të shtunën.
E motra e Egli Progës gjatë homazheve u shpreh se kërkon drejtësi për humbjen e jetës së vëllait të saj.
“Unë do jem mbrojtësja e tij. Do t’a mbroj pas vdekje. Drejtësinë do t’a sjell me çdo kusht sepse ia kam borxh vëllait, vetes dhe familjes. Mos kini frikë. Tregoni kush janë kriminelët pas tyre. Këtë herë nuk ka miq nuk ka para. Kërkoj vetëm drejtësi. Nuk dua të përfitoj kush nga vdekja e tim vëllai, nuk dua të politizohet vdekja e tij, por do pranoj ndihmën për vendosjen e drejtësisë. Kriminelët që i kanë mbyllur jetën vëllait tim do shkojnë në burg pa përjashtim. Si ata plehra që e dhunuan dhe ata që u përpoqën ta mbyllin këtë vrasje makabre”, tha ajo në fjalën e saj.
Qytetarët kanë dalë dhe kanë vendosur një qiri dhe lule për Eglin. Thirrje për homazhe janë bërë në të gjithë qytetet kryesore të vendit, Tiranë, Berat, Durrës, Elbasan Shkodër, Pogradec, Vlore, Korçe, Fier.
Me slogan “kundër mafies dhe gjobëvënies”, qytetarët bëjnë thirrje për protestë në formë homazhesh për 42-vjeçarin e vrarë.