Historike në ‘Paris 2024’/ Mundësi Chermen Valiev i jep Shqipërisë medaljen e parë Olimpike

10 gusht 2024, ora 19:53. Kjo është koha fikse që do hyjë në historinë e sportit shqiptar, pasi rusi i natyralizuar si kuqezi, mundësi Chermen Valiev ia ka dalë t’i sjellë Shqipërisë medaljen e parë Olimpike në histori.

25-vjeçari mundi 6-2 rivalin nga Taxhikistani, Viktor Rassadin, në stilin e lirë për peshën deri në 74 kilogramë, duke fituar medaljen e bronztë në finalen e vogël. Paçka se vetëm të bronztën, Valiev ka fituar atë që për dekada të tëra nuk kanë bërë shumë sportistë kuqezinj.

Tanimë vendi ynë e ka një medalje Olimpike, gjë që ndodhi pas pjesëmarrjes së dhjetë në Lojërat Olimpike. Valiev tanimë do shpërblehet nga shteti shqiptar për këtë arritje me 50 milionë lekë (të vjetër), si edhe me gradën Kolonel.