Kanë kaluar vetëm pak ditë nga aksidenti famëkeq i autobusit me shqiptarë në Bullgari.
Deri sa po ktheheshin nga Turqia 45 shqiptarë humbën jetën dhe 7 të tjerë u lënduan.
Kjo ngjarje ka prekur të gjithë ndërsa ditë zie u shpall në tri shtete.
Disa ditë pas kësaj tragjedie Shpat Kasapi ka ndarë me ndjekësit një histori emocionuese.

Ai ka parë në të shpërndarë në rrjetin social TikTok një mesazh, ku citohet se si babai i tij i ndjerë, kishte ndihmuar disa njerëz nga një aksident i ngjashëm që kishte ndodhur rreth 40 vite më parë, çuditërisht në po të njëjtin vend.
“Histori e vërtetë që ka ndodh para 40 vitesh në Bullgari aksident tragjik humbin jetën shumë njerëz, një djalë nga Tetova shpëton dhe për ndihmë i shkojnë i ndjeri babai i Shpat Kasapit, Z.Naimi tregon mami im. Shteti nuk i paska ndihmuar për spital, të gjitha shpenzimet i paska paguar babai i Shpatit, si thotë mami im i njëjti vend ka qenë ku janë aksidentuar këta njerëz tash edhe atëherë”, shkruhet në mesazhin që këngëtari e ka ndarë me ndjekësit.

Tutje Shpati ka zbuluar se këtë histori nuk e dinte më parë.
“Nuk e prisja këtë bamirësi nga babai im i ndjerë që është bërë virale dhe mua më erdhi befasi! Por kjo befasi nuk është e rastësishme sepse babai im ka ndihmuar shumë njerëz. Kjo thjeshtë dëshmon që pas 30 vitesh i doli e mira në shesh dhe Zoti e shpërbleftë dyfish në xhenet ishalla”, ka shkruar këngëtari Kasapi.

