Gara presidenciale në SHBA/ Ja për kë do të performojë Beyonce

Këngëtarja me famë botërore, Beyonce, do të shfaqet së bashku me kandidaten demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, nesër në Hjuston.

Burimet për Reuters-in thanë se në agjendën e takimeve elektorale të Kamala Harris për nesër është Teksasi, një bastion i republikanëve.

Harris do të shkojë në Teksas për të mbështetur senatorin demokrat Colin Allred, i cili renditet pas republikanit Ted Cruz në sondazhe. Kamala Harris do të flasë edhe për çështjen e aborteve.
Lajmi për paraqitjen e Beyonces u raportua fillimisht nga gazeta “Washington Post”.

Kanë mbetur dy javë nga dita e votimit për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Kandidatja demokrate, nënpresidentja Kamala Harris dhe kundërshtari i saj republikan, ish-presidenti Donald Trump janë përqendruar thuajse plotësisht te shtatë shtetet vendimtare që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Më shumë se 14 milionë amerikanë e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre përmes votimit të hershëm, sipas të dhënave të Laboratorit të Zgjedhjeve pranë Universitetit të Floridës dhe shumë të tjerë pritet të veprojnë njësoj në ditët në vazhdim, ndërsa qendrat e votimit janë hapur herët thuajse në të 50 shtetet dhe po ashtu po praktikohet votimi përmes postës.

Anketimet në nivel kombëtar tregojnë se kjo është gara me diferencën më të ngushtë për dekada të tëra, ndërsa zonja Harris ka një epërsi të lehtë.