Është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare, ish-ministri shqiptar Ylli Çabiri.
Ka qenë nipi i tiji i cili ka dhënë lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Çabirit.
Ai ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë në qeveritë e përkohshme të drejtuara nga Ylli Bufi dhe Vilson Ahmeti në vitet 1991 dhe 1992.
Pasi u largua nga politika Çabiri iu përkushtua kërkimit dhe drejtimit shkencor.
Çabiri ishte ekspert ndërkombëtar i monitorimit dhe vlerësimit të financimeve të Bashkimit Europian në shtetet e ndryshme të Ballkanit si dhe Këshilltar politikash i Ambasadorit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë.
Kush ishte Ylli Çabiri
Ai lindi në vitin 1950 në qytetin e Elbasanit. Çabiri u diplomua në degën Mekanikë në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin e Tiranës. Më pas ai kreu studimet e thelluara pasuniversitare në Francë në Universitetin Paris XI, për “Metalurgji fizike”.
Deri në vitin 1988, ka punuar si: Drejtues i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Siderurgjike, më pas Drejtor në Këshillin e Ministrave, Këshilltar i Ministrit të Bashkëpunimit me Jashtë dhe Zëvendësministër i Tregtisë së Jashtme.
Ai ishte autor i një numri të madh studimesh në fushën e qeverisjes, koordinimit të ndihmës së huaj, centralizimit të pushtetit, ndarjes territoriale apo ecurisë së reformave të ndryshme.