E papritur! Lindita Nikolla dorëhiqet si kryetare e Kuvendit

Lindita Nikolla ka dhënë dorëheqjen si kryetare e Kuvendit. Në përfundim të sesionit të gjashtë të legjislaturës X-të të Kuvendit, kryeparlamentarja, me zë të dridhur, njoftoi para deputetëve largimin e saj për arsye shëndetësore.
Kështu, Nikolla mbyll rrugëtimin 3 vjeçar si Kryetare Kuvendit, ndërsa një mesazh e kishte për të gjithë ligjvënësit e maxhorancës e opozitës.

“Jam përpjekur të jap më të mirën time çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij parlamenti. Pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë. Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër e siguroj se nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im. Nëse me ndokënd kam gabuar padashje i kërkoj ndjesë”, tha Nikolla para deputetëve në seancën e 26 korrikut 2024.

E vendosur shpesh në qendër të sulmeve verbale nga opozita, Nikolla tha se përtej akteve të poltikës teatrale, do largohet nga ajo sallë me ndjesinë e mirë të respektit për secilin.