Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka refuzuar një ftesë për të performuar në një nga eventet më të shumëpritura të boksit këtë vit, përballjen mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe BBC Sport, artistja 30-vjeçare është kontaktuar për të qenë pjesë e spektaklit që do të shoqërojë ndeshjen, por ka vendosur të mos e pranojë ofertën.
Interesant është fakti se kreu i Autoritetit të Argëtimit në Arabinë Saudite, Turki Al-Sheikh, kishte lënë të kuptohej më herët se prezenca e saj mund të ishte një nga kushtet për realizimin e eventit. Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo deklaratë ka qenë serioze apo thjesht një koment në formë batute.
Ndërkohë, vetë ndeshja mbetet ende në fazë organizimi, me stadiumin Wembley Stadium që konsiderohet si një nga opsionet kryesore për zhvillimin e saj.
Para këtij dueli të madh, Joshua pritet të rikthehet në ring në muajin korrik, ku do të përballet me boksierin shqiptar Kristian Prenga, një ndeshje që shihet si një test i rëndësishëm përpara sfidës me Furyn.
