Dita e katërt e protestave kundër rritjes së çmimeve, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

Me qindra mijëra qytetarë u mblodhën këtë të shtunë në sheshin “Skënderbej”. Më pas ata marshuan në drejtim të Kryeministrisë ku edhe u mblodhën dhe aktivistët mbajtën fjalimet e tyre.

Qytetarët protestojnë kundër rritjes së çmimeve të naftës dhe produkteve ushqimore dhe kjo është dita e katërt e protestave. Në protestë ishin mbledhur qytetarë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet e tjera të Shqipërisë.

Tubuesit mbanin me vete pankarta të ndryshme. Në krye të saj qëndronte slogani “Boll na vodhët”. Po ashtu, protestuesit bënë thirrje për të liruar të arrestuarit e 3 protestave të kaluara.

“Asnjë polic nuk është prekur me dorë. Asnjë xham nuk është thyer. Asnjë trotuar nuk është ndotur. 140 të rinj janë shoqëruar pa bërë asgjë”, tha një aktivist.