Detajet që të tjerët vënë re tek ju në takimin e parë

Të gjithë e dimë sa e rëndësishme është përshtypja e parë.Çfarë do të mendonit ju për një restorant, në të cilin kur hyni për herë të parë, ju pret një menaxhere që përtyp çamçakëzin, me bluzë të pahekurosur, dhe sjellje të vrazhdë? Nuk do të shkonit sërish apo jo? E njëjta situatë është pak a shumë kur dilni me dikë për herë të parë në një takim. Para se të flisni, ja çfarë vënë re tek ju!

Rrudhat

Nuk është fjala për rrudhat në fytyrë, por për ato nëpër rroba. Nëse shkoni në një takim pune me një bluzë të pahekurosur, jepni përshtypjen se nuk i kushtoni rëndësi njeriut që po takoni. Por, mund edhe t’u dukeni i pakujdesshëm dhe dembel.

Çamçakëzi

Njerëzit përtypin çamçakëz për një sërë arsyesh. Përgjithësisht, ka të bëjë me stresin. Ose ose, kur përpiqen të lënë cigaren. Ngado që ta kapni, çamçakëzi është shenjë papjekurie, ndaj përpara se të shkoni në takim, hidheni…në kosh, ju lutemi.

Grimin e tepërt

Grimi i rëndë ngjall mosbesim tek të tjerët; ‘Çfarë fsheh ajo pas gjithë atij truku?’, pyet pavetëdija e tyre.

Këpucët e papastruara

Këpucët janë një prej detajeve që më shumë vihen re, dhe kur janë të pastra e të lustruara, i shtojnë shumë pikë pranisë suaj. Në të kundërt, mos u ulni pa i pastruar të pastën me një farzoletë.

Qëndrimi i kërrusur

Jo më kot prindërit përpiqen t’ua mësojnë me domosdo qëndrimin drejt fëmijëve të tyre. Mbajeni kokën lart, supet prapa por jo të ngrira, dhe do të dukeni plot vetëbesim, të aftë dhe pozitivë. Për më tepër, edhe veshjet ju rrinë më bukur nëse qëndroni drejt. Nëse hyni me shpinën e kërrusur dhe kokën e ulur, do të krijoni përshtypjen se jeni…copë-copë!

Dekolteja

Dekolteja bie menjëherë në sy (e si mund të mos bjerë në sy), por është një zgjedhje e gabuar në një takim të parë. Së pari, dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me emancipimin, vë në diskutim moralin tuaj dhe madje edhe zgjuarsinë. Përveç kësaj, nëse keni një takim pune me një mashkull, me shumë gjasë nuk ka për ta dëgjuar fare se cilat çështje duhen zgjidhur në kompaninë tuaj.

Aroma

Ka shumë njerëz që janë aq të ndjeshëm ndaj aromave saqë mund t’u shkaktojë të përziera apo migrenë. Por aroma e trupit është një prej atyre gjërave që kapet menjëherë nga pavetëdija e të tjerëve, dhe ndikon shumë në përshtypjen që krijojnë për ju. Lahuni, parfumohuni (2 apo 3 sprucime, jo më shumë), dhe nëse jeni një duhanpirës, ndërroni bluzën përpara se të shkoni në takim!

Është e gjitha tek sytë

Nëse nuk i kushtoni vëmendje personit që keni përballë; nëse shikoni rrotull, merreni me celularin apo televizorin, apo gjuani djalin në tavolinën përballë…Kështu nuk bën! Sa më pak kontakt sysh të keni me personin që sapo keni takuar, aq më arrogant dhe antipatik do të dukeni!

Kufjet

Hiqini, por jo pasi personi që prisni të takoni t’ju ketë parë me to në vesh. Sikurse çamçakëzi, ato janë një shenjë papjekurie dhe mungesë përqëndrimi.

Dhënia e dorës me dhunë!

Pra, keni hequr kufjet, çamçakëzin, keni pastruar këpucët, dhe ja ku është zotëria që duhej të takonit. I afroheni duke buzëqeshur por, nga emocionet, ia shtrëngoni dorën aq fort, sa e paralizoni. Ky është hapi i parë më i keq kur takoni dikë për herë të parë! Një dhënie dore duhet të zgjasë 2-3 sekonda, jo më gjatë, dhe mundohuni që përmes duarve të përçoni siguri, besim dhe qetësi.