Burg për të dyshuarit në vrasjen e Liridonës, protestë para gjykatës në Kosovë: S’ka paqe pa siguri

Gjykata e Prishtinës la në burg këtë të dielë 3 të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.

Një muaj paraburgim u caktua për bashkëshortin e Liridona Ademajt, Naim Murseli, si organizator i vrasjes, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, njofton gjykata në një deklaratë.

Ndërkohë, jashtë gjykatës, teksa mbahej seanca, një protestë simbolike, organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist u bë për Liridonën.

“Nuk ka paqe, pa sigurinë e grave”, është pankarta që mbajnë në dorë aktivistet.