Ju kujtohet hiti i vitit 2007, “Fluturimi 3470” nga Soni Malaj dhe Flori Mumajesi? Jemi të sigurt që po, e nëse jo tanimë do të keni shansin të dëgjoni një tjetër bashkëpunim të dyshes, më saktë të këngëtares me Threedots!
Brunia 40 vjeçare, e cila ka marrë pjesë plot 9 herë te “Kënga Magjike”, këtë vit rikthehet më fuqishëm se kurrë në kompeticion me produksionin e djemve. Kënga e fundit e Sonit me Threedots ka qenë “Nën lëkurën tënde”, e realizuar dekadën e kaluar.
E pyetur nga produksioni i “Këngës Magjike”, Soni thotë: “Është një nga këngët më të veçanta që unë kam. Kënga mu propozua nga Threedots.
Djemtë pasi përfunduan këngën thanë: “Këtë këngë vetëm Soni Malaj mund t’a këndojë.”
Kënga titullohet “Versioni im” dhe mban vulën e Threedots.
Ekskluzivisht produksioni zbulon se kënga është baladë dhe do të publikohet këtë të dielë në orën 18:00.
