Aktorja shqiptare shkëlqen në Oscars, filmi ku luan rolin kryesor merr çmimin e madh

Filmi i shkurtër Two People Exchanging Saliva ka arritur një sukses të madh në ceremoninë e Academy Awards, duke fituar çmimin për Filmin më të mirë me metrazh të shkurtër me aktorë. Në këtë projekt kinematografik spikat edhe aktorja shqiptare Luàna Bajrami, e cila interpreton rolin kryesor.

Në film, Bajrami luan personazhin Malaise në një histori të vendosur në një version të pazakontë të Parisit, ku puthjet janë të ndaluara dhe konsiderohen shkelje e rëndë e ligjit. Ngjarja zhvillohet në një realitet absurd dhe distopik, ku personazhet përballen me rregulla të çuditshme shoqërore dhe kufizime të forta mbi intimitetin. 

Ky produksion është realizuar nga regjisorët Alexandre Singh dhe Natalie Musteata dhe kishte marrë më parë vlerësime në disa festivale ndërkombëtare të filmit, përpara se të arrinte kulmin e suksesit në Hollywood. 

Fitorja në Oscars shënon një moment të rëndësishëm edhe për përfaqësimin e artistëve shqiptarë në industrinë ndërkombëtare të filmit, duke e vendosur emrin e Bajramit mes talenteve më premtuese të kinemasë evropiane. 

Në ceremoninë e këtij viti, çmimi në këtë kategori u nda mes dy filmave fitues, duke e bërë momentin edhe më të veçantë në historinë e Oscars.